Nga : Adelina Pjetra "Zia Traumatike dhe Trajtimi Terapeutik

Procesi dhe trajtimi i zisë.....


Nuk është e lehtë të flasësh për dhimbjen e humbjes së një personi të dashur, gjithashtu në kushtet dhe kulturën tonë nuk është aspak e lehtë të përballosh një ceremoni zie në familje.
Kur në familjet tona  Shqiptare ndodh një vdekje , përveç dhimbjes, trishtimit , çorientimit që shkakton , një detaj tjetër që e shton këtë dhimbje dhe që nuk ndihmon aspak në lehtësimin e saj është organizimi i ceremonisë mortore , që shikohet nga shumë persona si një detaj shumë i rëndësishëm , tregues ose jo i dhimbjes që përjeton familja . Në shumë raste opinioni shoqëror të vret edhe më shumë se vetë humbja që ke pësuar .Shembulli i mëposhtëm do të bëjë një ilustrim më të qartë të një realiteti paksa mbytës për të gjithë.


 Para 6 vitesh unë humba babin , në ate kohë isha vetëm 15 vjeçe , ishte nje vdekje e dhimbshme për ëe e cila është shumë e vështirë të flasësh apo përshkruash .Nga mënyra si ishte vdekja e tij ne ishim të papergatitur si familje ,dmth as mundësitë financiare nuk i kishim dhe vetë emocionalisht ishim të shokuar ...
Por dhimbja mbetet dhimbje dhe çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme .Sa për organizimin e funeralit ishte gjithçka e pergatitur me borxhe duke filluar që nga arkivoli .Ne kemi qenë nje familje me vështirësi ekonomike sepse dhe babi skishte ndonjë punë të qëndrueshme që të kishim mundësinë për diçka mënjanë .Nejse un se dija se njerëzit që vijnë aty janë për të bërë vrejtjet dhe jo për të mbështetur .Çdo njeri shikonte se si qanim , aq sa kishin thënë për mua se pse rrija në ndonjë moment pa lot në sy , dhimbja duhet të kalohet që ta kuptosh si është ,dhe humbja e personit të dashur për mua .A mund të ishte moskokcarje sipas tyre ? Ske cfarë bën ky është mentaliteti i Shqiptarit kështu jemi mësuar duke gjykuar tjetrin dhe në momentin më të dhimbshëm ..Te gjitha kanë ardhur si llafe më vonë , pse skishin lekë për shpenzimet etj etj .Un po i vuaja shumë fjalët që dëgjoja , ishin sikur të vrisnin kur akuzoheshe se mos nuk kishe mjaftueshem dhimbje dhe kjo su tha vetëm  për mua po për gjithë familjen time .Ne ja dolem gjithsesi edhe pse nuk patëm mbështetjen e askujt ...”

Humbje të tilla në familje janë shumë pak ose mund të them aspak të trajtuara nga profesionistët e shëndetit mendor , kjo për arsyen e vetme se individët nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur dhe nuk e kuptojnë që shumë ndryshime që pasojnë funksionimin e tyre në jetë pas një rasti zie ndodhin pikërisht nga kjo dhimbje e pa shprehur , nga kjo vuajtje e papërpunuar dhe emocione të shtypura në vetvete .


Për këtë arsye Shoqata Italo-Shqiptare e Psikotraumatologjisë , EMDR –Albania , zhvilloi më 3-4 Qershor 2017 një workshop për të trajnuar terapistët EMDR por jo vetëm , se si ta njohin dhe ta trajtojnë një zi traumatike në grupmosha të ndryshme .

Edhe pse pjesmarrësit ishin të gjithë Psikologë , me eksperiencë pune dhe profesionistë , përsëri kjo temë arriti të hyjë në thellësitë e pazbuluara të gjithsecilit ku akoma jetonte një formë e dhimbjes e pa trajtuar. Trajnerja e këtij workshopi , znj. Samantha Ramagnoli  ( psikoterapiste familjare në Itali ) , arriti të formonte një klimë të tillë në grup , aq sa secili  nga pjesmarrësit ndihej më i sigurtë të shprehte dhimbjen personale.

Në këtë workshop u trajtuan tema të tila si : terapia familjare , ndërtimi dhe interpretimi i genogramës , si një instrument mjaft i rëndësishëm në punën terapeutike , njohja dhe trajtimi i zisë dhe tipologjive të saj .Supervizimi klinik i rasteve konkrete në terapi dhe aplikimi praktik i njohurive të reja.  


Ky artikull besoj që do i shërbejë çdo individi të kuptojnë më mirë çfarë është ZIA, HUMBJA , DHE PROCESI I ZISË , në mënyrë që të identifikojnë tek vetja apo një person i afërt simptoma apo sjellje që e kanë penguar të progrersojë në jetë duke e mbajtur peng të një kaluare të dhimbshme.

Procesi i zisë i referohet specifikisht proçesit të shërimit nga vdekja e një personi të dashur. 
Zia  është një reagim ndaj çdo lloj forme humbjeje. Të dyja përfshijnë një shumëllojshmëri ndjenjash nga trishtimi i thellë deri në zemërim, proçesi i përshtatjes me një humbje të rëndësishme mund të ndryshojë nga njëri person në tjetrin , në varësi të njohurive, besimit, marrëdhënies me atë që ka humbur dhe shumë faktorë të tjerë

Mbajtja e zisë, Mendimet dhe  Sjelljet



Zia shoqërohet me ndjenja të trishtimit , mohimit, fajit, pendimit dhe zemërim përveç shumë të tjerave.Disa individë mund të përjetojnë një ndjesi të pakuptimtë dhe të tjerë të mund të ndjejnë një ndjesi të çlirimit ( ndihet i lehtësuar). Emocionet shpesh janë surprizuese në forcën dhe shumëllojshmërinë që kanë ,dhe shpesh mund të jenë edhe në formë konfuzioni , si përshembull kur një personi i mungon një lidhje e dhimbshme. 
Mendimet gjatë zisë mund të variojnë nga  “smund të bëj asgjë për këtë ” deri tek  “është faji im, mund të kisha bërë  më shumë” ose nga  “ajo kishte një jetë të mirë” deri tek  “nuk ishte koha e saj.” Këto mendime mund të jenë të turbullta ose mbytëse ,dhe personat në “zi”mund të kalojnë nga një mendim në tjetrin teksa mundohen ti japin një kuptim humbjes së tyre. Sjelljet e “zisë” kalojnë nga e qara në të qeshur , nga ndarja e dhimbjes me të tjerët në bërjen e disa punëve në heshtje si pastrimi i shtëpisë , shkrimi i një ditari apo artikulli apo ushtrime fizike. Disa persona gjenë mbështetje në shoqërinë e të tjerëve , veçanërisht me ata që mund të kenë pasur një humbje të ngjashme me të tyren , ndërsa disa të tjerë preferojnë të jenë vetëm me ndjenjat e tyre .


Ndjenjat , mendimet,dhe sjelljet e ndryshme që njerëzit shprehin gjatë zisë mund të karakterizohen në dy stile të mëdha: instrumentale dhe intuitive .Shumica e njerëzve shfaqin një miksim të këtyre dy stileve.
  • Zia instrumentale : përfshin fokusimin në fillim në detyrat e zgjidhjes së problemeve ndërkohë që kontrollojnë ose minimizojnë shprehjen e emocioneve .
  • Zia intuitive: bazohet në një përvojë të lartë emocionale që drejton në ndarjen e ndjenjave me të tjerët, eksplorimin e marrëdhënies së humbur , konsideron vdekshmërinë , dhe identifikon kuptimin në jetë.
 Nuk ka një mënyrë të drejtë apo të gabuar se si e përjeton zinë , megjithatë disa mendime apo sjellje pas humbjes së një personi të dashur mund të jenë më ndihmuese apo më të sigurta se sa disa të tjera.
Një nga shumë vështirësitë që shoqërohet me mbajtjen e zisë për njeriun e dashur ,vdekjen ose prishjen e një marrëdhënie dashurie ,është përshtatja me realitetin e ri  të jetuarit në mungesë të këtij personi të dashur . Kjo shpesh kërkon zhvillimin e një rutine të re , të programosh një të ardhme të re , madje edhe të adoptohesh me një kuptim të ri identiteti. 
 

Çfarë është një Zi e komplikuar ?


Përvoja e një zie nuk është diçka që një person mund të rimarrë veten plotësisht , por koha zakonisht lehtëson intensitetin e saj . Kur flasim për një zi të komplikuar i referohemi një forme persistente të mbajtjes së zisë që dominon jetën e një personi , duke ndërhyrë në funksionimin e përditshmërisë për një periudhë të gjatë kohe.
Simptomat e një zie të komplikuar janë afërsisht të ngjashme me atë të një zie akute, dhe përsëri ,kohëzgjatja që i merr një personi mbajtja e zisë është shumë e varur nga konteksti. Por kur simptomat janë  në vazhdimësi të pafundme dhe të pa përmirësuara ,që zgjasin së paku 1 vit ose më shumë duke ndërhyrë në aftësinë e një personi për tu rikthyer në aktivitetet e zakonshme, mund të kemi një implikim të zisë së komplikuar .

 Simptomat e tejzgjatura mund të përfshijnë :
·         Trishtim intensiv
·         Preokupim me të vdekurin ose me rrethanat që rrethojnë vdekjen.
·         Mbajtja zi ose  vajtimi
·         Ndjenja boshësie  ose pa kuptim
·         Vështirësi për tu përfshirë në kujtime të gëzuara
·         Shmangie të personave që i kujtojnë personin që ka vdekur
·         Mungesë dëshire për të ndjekur interesat apo dëshirat personale
·         Hidhërim ose zemërim

Të njohim një zi të komplikuar :



         Personi nuk mund të flasë për të ndjerin pa përjetuar një hidhërim “të lehtë”edhe kur humbja ka ndodhur shumë vite më parë
         Disa ngjarje të vogla stimulojnë reagime intensive pikëllimi
         Shpesh ri-propozohen tema për humbjen
         Personi ka vështirësi të ndahet nga objektet që i përkasin të vdekurit, anasjelltas hedh gjithçka menjëherë  pas ngjarjes së zisë
          Personi ka zhvilluar simptoma të ngjashme me ato të të ndjerit, ose këto simptoma mund të shfaqen në periudha të caktuara të vitit ose me arritjen e moshës së personit në momentin e vdekjes
         Ndryshime radikale në stilin e jetës apo shmangies me miqtë, familjen dhe / ose aktivitetet e lidhura me të vdekurin.
         Një pacient i cili paraqet një depresioni sub-klinik apo në të kundërtën që manifeston një gjëndje euforike pas zisë
         Një kompulsion për të imituar personin e vdekur shpreh nevojën për të kompensuar humbjen duke u identifikuar me të vdekurin
         Trishtimi pa asnjë shpjegim të dukshëm që shfaqet në një periudhë të caktuar  të çdo viti.
         Një fobi për një sëmundje të caktuar ose për vdekjen është shpesh e lidhur me sëmundjen specifike që kishte pësuar i ndjeri.

Psikologu  J. W. Worden ka krijuar një model të bazuar në stade për përballimin e vdekjes së një personi të dashur . Ky model quhet : Katër detyrat e Zisë :
1.      Të pranosh realitetin e humbjes
2.      Të punosh përmes dhimbjes së zisë
3.      Të përshtatesh në jetë pa praninë e të vdekurit
4.      Të mbash lidhjen me të vdekurin , ndërkohë që ecën përpara në jetë.

 Terapia për Zinë


Terapia është një mënyrë efektive për të mësuar si të përballojmë stresorët që lidhen me humbjen dhe të menaxhojmë simptomat me teknika të tilla si : relaksimi ose meditimi.  Çdo eksperincë e zisë është unike, komplekse , dhe personale , dhe një terapist duhet të ofrojë trajtim duke marrë në konsideratë nevojat specifike të secilit individ. Për shembull , një Terapist/Psikolog , mund të ndihmojë personin në zi të gjejë mënyra të shëndetshme për të mbajtur lidhje me të vdekurin nëpërmjet kujtimeve , reflektimit , ritualeve ,apo dialogut për të vdekurin dhe me të vdekurin.Përveç terapisë individuale, terapia e grupit mund të jetë e dobishme për ata që gjejnë ngushëllim në ndarjen reciproke të mendimeve dhe ndjenjave, dhe rezultatet e shërimit janë shpesh më të shpejta në këtë mjedis. Në mënyrë të ngjashme, terapia familja mund të jetë e përshtatshme për një familje anëtarët e së cilës janë duke luftuar për tu përshtatur me humbjen e një anëtari të familjes.Zgjidhja e zisë sjell zhvillimin e një lidhje ndryshe me personin që ka vdekur, jo fundin e lidhjes, gjetja e një mënyre për të mbajtur lidhjen duke e ditur që personi nuk është më fizikisht i disponueshëm.

 

Adelina Pjetra
Koordinatore Shkencore e Trajnimeve EMDR-Albania

Psikologe Klinike & Terapiste Emdr 
email: adelina.pjetra@gmail.com
cel: 0697482338

Commenti

Post popolari in questo blog

Revolucioni EMDR ndrysho jeten tende hap mbas hapi (Libri pare ne gjuhen Shqipe)

Besarta Taci emerohet Practitioner Psikoterapiste eksperte ne EMDR

Belbezimi,Cluttering,Mutismi selektiv Workshop 9-10 Dhjetor Tirane ( Dr. Mario D'Amborsio )